Loading Quotes...

SJELLJA E PROFETIT MUHAMMED (S.A.V.S.) NË FAMILJE

Postuar më: E premte, 25 Janar 2013

Profeti Muhammed (savs) gjatë 10 viteve që qëndroi në Medine kishte shumë obligime dhe përgjegjësi dhe martesa me disa gra më tepër ishte për shkaqe humanitare dhe për të mirën e shoqërisë islame. Por, edhe prezenca e grave atë nuk e pengoi nga lutjet dhe namazet gjatë ditës dhe natës.

Besnikëria e Profetit Muhammed (savs) ndaj gruas së tij Hatixhesë ishte ndër shembujt më të mirë të moralit të Profetit Muhammed (savs).

Profeti Muhammed (savs) nga mosha 25 vjeçare deri në moshën 50 vjeç qëndroi i martuar vetëm me hz. Hatixhen dhe derisa ajo ishte gjallë nuk u martua me asnjë grua tjetër. Ai deri në fund të jetës ishte mirënjohës i mirësjelljes së hz. Hatixhes dhe vazhdimisht thoshte: “ Askush nuk mund të bëhet Hatixhe”.

Pas vdekjes së hz. Hatixhesë, zonjës së madhe të Islamit që ndodhi njëkohësisht me vdekjen e axhës së Profetit Ebu Talebit, Profeti më nuk ndjehej i sigurt në Mekkë dhe më ftesë së besimtarëve në Medine ai vendosi të emigrojë në këtë qytet.

Megjithëse Profeti Muhammed (savs) në Medine kishte shumë obligime dhe përveç përhapjes së shpalljes Hyjnore ai kishte mbi supe edhe përgjegjësinë e udhëheqjes së shtetit Islam, ai sërish u martua me disa gra por përveç njërës të gjitha ishin gra të veja. Mirëpo, nëse i hedhim një vështrim pak më të thellë martesave të Profetit do të kuptojmë se përpara se Profeti Muhammed të përfitonte nga këto martesa, gratë e tij përfituan dhe kishin nevojë për një gjë të këtillë.

Gjatë analizimit të arsyes së numrit të grave të Profetit Muhammed (savs) fillimisht duhet të merren parasysh kushtet dhe traditat e çdo shoqërie në çdo periudhë. Në gadishullin arab, në bazë të traditave të asaj kohe burrat martoheshin me më shumë gra madje kishte burra që kishin edhe mbi dhjetë gra. Rritja e numrit të grave ishte me kuptimin e rritjes së numrit të anëtarëve të familjes dhe si rezultat rritej edhe fuqia e fisit. Mbi këtë bazë, duke pasur parasysh gjendjes sociale dhe kulturore të asaj kohe, shumë rrallë mund të gjendjej ndonjë burrë që kishte vetëm një grua. Ashtu sië u përmend edhe më lartë, Profeti Muhammed (savs) derisa ishte në Mekkë ishte i martuar vetëm me një grua. Mirëpo gjatë qëndrimit në Medine dhe në kohën kur mori përsipër udhëheqjen e shtetit Islam, shfrytëzoi kulturën e njerëzve dhe zgjidhjen e poligamisë që ishte reflektuese e gjendjes sociale dhe burrat i inkurajoi që duke u martuar me gratë pa kujdestarë dhe në veçanti ato që kishin fëmijë jetimë, të marrin përsipër mirëmbajtjen e tyre dhe të kujdesen për to. Kjo për faktin se këto gra duke u martuar çliroheshin nga vetmia dhe varfëria si materiale ashtu edhe shpirtërore. Mirëpo, Profeti për ti inkurajuar të tjerët patjetër vet duhej të hidhte hapin e parë në këtë drejtim. Si rrjedhim, Profeti u martua me gra të veja në mënyrë që ata ti largojë nga problemet dhe varfëria dhe bashkë me jetimët e tyre i solli në shtëpinë e vet në mënyrë që në bazë të mundësive të përmbushë nevojat e tyre por edhe të bëhet shembull i mirë edhe për njerëzit e tjerë.

Martesa me gra të veja dhe në veçanti me gra burrat e të cilave kanë rënë dëshmorë nëpër luftëra apo për ndonjë arsye tjetër janë larguar nga kjo botë kishte një rëndësi të madhe. Në këto kushte jeta për ato gra bëhej shumë e vështirë dhe ato përballeshin me kushte të rënda siç ishte rasti e Um Habibes, vajzën e Ebu Sufjanit e cila bashkë me burrin e saj u shpërngul në Habesh (Etiopi) dhe atje mbeti e vejë. Ajo atje nuk dëshironte të martohej me ndonjë mashkull të krishterë e as nuk donte që të kthehej në Mekke pranë babait të saj idhujtar. Kur Profeti u njoftua me problemin e saj dërgoi një të dërguar pranë Nexhashiut, mbretit të Habeshit dhe i kërkoi që Um Habiben ta kurorëzojë me Profetin Muhammed (savs). Kjo martesë u bë shkak që Um Habibe të shpëtojë nga ajo gjendje konfuze dhe të kthehet pranë të afërmve të saj idhujtarë. Um Habibe kur u martua me Profetin Muhammed (savs) ishte rreth 40 vjece. Këtu shumë qartë mund të shihet qëllimi fetar dhe përkrahës i Profetit Muhammed (savs). Kjo sjellje i hedh në ujë pretendimet e shumë individëve të cilët pretendojnë se Profeti Muhammed (savs) si pasojë e epshit është martuar me më shumë femra. Kjo për faktin se kjo grua ndodhej në Habesh dhe madje nuk dihej edhe koha e kthimit të saj në vendlindje. Është interesant fakti që Ebu Sufjani, armiku numër një i Profetit, kur e kuptoi martesën e Profetit me vajzën e tij e cila kishte mbetur e vetme në Habesh, tha: “Shpina e këtij burri asnjëherë mos rëntë mbi tokë”.

Islami me një program të përpiktë dhe në mënyrë graduale hodhi hapa në drejtim të lirimit të robërve. Profeti Muhammed (savs) për këtë qëllim shfrytëzoi metoda të ndryshme të përshtatshme dhe martesa ishte njëra prej tyre. Xhuvejrija dhe Safija ishin robëresha. Profeti i liroi të dyja dhe pastaj u martua me ta. Xhuverjrija ishte një grua e vejë e cila në Gazvetul bin Mutalak bashkë me disa burra dhe gra u zunë rob nga myslimanët. Ajo e cila ishte e bija e kryetarit të fisit Beni Mustalak u bë robëreshë e një personi me emrin Thabit bin Kajs. Ajo më Thabe bin Kajsin nënshkroi një marrëveshje që përballë një shume parash të fitojë lirinë. Më pas ajo shkoi pranë Profetit për të kërkuar ndihmë. Si rrjedhim Profeti Muhammed (savs) pagoi shumë e paraparë dhe më pas u martua më të. Kjo lëvizje e Profetit Muhammed (savs) u bë shembull i mirë për shokët e tij dhe në këtë mënyrë të gjithë robërit e fisit beni Mustalak që ishin rreth 200 persona u lirua nga robëria. Konstantin Vigil Gheroghiu, mendimtar i krishterë rumun, shkruan: “ Muhammedi u martua me Xhuverjrijen. Shokët e tij nuk e pëlqyen këtë punë dhe e shikonin me habi. Por të nesërmen e asaj dite ata i liruan robërit e tyre sepse nuk mund të pranonin që të afërmit e gruas së Profetit të jenë rob të tyre”. Të liruarit kur e vërejtën mëshirën e myslimanëve pranuan fenë islame madje edhe luftuan në krah të Profetit Muhammed (savs). Kjo sjellje e Profetit Muhammed (savs) pati një ndikim shumë pozitiv jo vetëm tek fisi Beni Mustalak por tek të gjithë fiset e tjera duke i tërhequr zemrat e tyre drejt islamit. Në këtë mënyrë, vetëm me një martesë mijëra zemra u tërhoqën drejt fesë islame.

Shoqëria arabe, djalin e adoptuar (nga gruaja) e cilësonin si djalë të vërtetë duke i siguruar të drejta të plota si e drejta e trashëgimisë, ndalesa e marrëdhënieve martesore dhe gjëra të tjera të ngjashme. Mirëpo, All-llahu Fuqiplotë në ajetin 4 të sures Ahzab e mohoi këtë qëndrim injorant duke thënë: “ … e as nuk ua bëri djem tuaj të adoptuarit tuaj (fëmijët e tjetërkujt që i adoptoni si të juaj). Këto janë vetëm thënie tuaja që i shqiptoni me gojët tuaja, e All-llahu e thotë atë që është realitet, dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë”.

Si rrjedhim me urdhër të All-llahut Fuqiplotë që erdhi në ajetin 37 të po kësaj sure, Profeti Muhammed (savs) u obligua që të anulojë dhe largojë këtë traditë të gabuar ashtu si shumë tradita të tjera të gaabuara që ishin futur në shoqërinë e asaj kohe. Profeti, me urdhër të Zotit dhe përkundër traditës së gabuar të shoqërisë së asaj kohe u martua me Zejneb bint Xhehsh, gruan e ndarë nga djali i adoptuar i Profetit Zejd Bin Harethe dhe në këtë mënyrë mohoi në praktikë bindjen e kohës së injorancës. Ky akt i guximshëm i Profetit Muhammed (savs) shkaktoi një valë reagimesh nga ana e hipokritëve dhe shkurtpamësve, por all-llahu Fuqiplotë në ajetin 4o të sures Ahzab, duke lavdëruar këtë sjellje të Profetit dhe duke thyer këtë traditë të gabuar, atyre u dha një përgjigje të prerë dhe të qartë duke thënë: “Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send”.

Kjo martesë ishte e rëndësishme edhe nga një aspekt tjetër. Kjo për faktin se ekzistonte mundësia që pas vdekjes së Profetit Muhammed (savs) Zejd Bin Harethe dhe madje edhe djali i tij Usame bin Zejd të prezantoheshin si djalë dhe trashëgimtar të Profetit dhe në këtë mënyrë do të shkaktoheshin turbullira në trashëgiminë e familjes së Profetit Muhammed (savs).

Një aspekt tjetër i jetës së Profetit Muhammed (savs) në Medine, ishte jeta e tij shumë modeste. Shtëpitë e grave të tij ishin ndërtuar në formën më të thjeshtë nga llaçi dhe degët e palmave kurse perdet e dyerve të tyre ishin të ndërtuara nga qimet e kafshëve. Kjo ndodhte në kohën kur Profeti Muhammed (savs) veçanërisht pas çlirimit të Mekës pothuajse udhëhiqte të gjithë gadishullin arabik dhe kishte mundësi që të hante ushqimet më të mira në enë nga ari si dhe të ndërtonte pallate madhështore. Mirëpo, Profeti Muhammed (savs) preferonte që të jetonte si nevojtarët e shoqërisë duke jetuar një jetë modeste dhe në vend të zbukurimeve në shtëpinë e tij të mbisundojë dashuria dhe respekti.

Megjithëse për martesat e Profetit Muhammed (savs) ekzistonin arsye humane dhe në disa raste edhe politike, armiqtë e islamit dhe njerëz të painformuar vazhdimisht janë përpjekur që këto martesa ti prezantojnë si arsye për prirjet dëfryese të profetit Muhammed (savs). Përpjekja e fundit në këtë drejtim ishte një film fyes që kohëve të fundit u prodhua në Amerikë. Kjo ndodh në kohën kur Profeti u martua me më shumë gra gjatë qëndrimit në Medine kur ai ishte rreth 53 vjec dhe në këtë moshë meshkujt u kushtojnë më pak vëmendje çështjeve të epshit. Gjithashtu, përgjatë 10 viteve të qëndrimit në Medine, Profeti Muhammed (savs) ishte në kulmin e punës dhe përgjegjësive dhe martesa me më shumë gra ashtu siç u theksua kishte arsye humanitare dhe interesa shoqërore. Mirëpo, as këto martesa Profetin nuk e penguan nga ibadeti i pandalshëm gjatë ditëve dhe netëve. Edhe gratë e Profetit kanë folur shumë për namazet dhe lutjet e tij që i drejtonte Krijuesit Fuqiplotë.

  • Recitator i Kuranit

    Here is the Music Player. You need to installl flash player to show this cool thing!

  • Kalendari i ngjarjeve

    Prill  2014
    E h E m E m E e E p E s E d
       
      1 2 3 4 5 6
    7 8 9 10 11 12 13
    14 15 16 17 18 19 20
    21 22 23 24 25 26 27
    28 29 30  
  • Mësimi i Kur’anit

  • Faqja në Facebook

Numri i vizitave

  • Lajmet